Southern Kosova Potentials

Çka ofron platforma:

Platforma KOSOVARURALTOURISM është zhvilluar nga EC Ma Ndryshe (EC) me qëllim të ofrimit të të dhënave praktike dhe orientuese për turistët vendor dhe të huaj. Rrjedhimisht ajo ka për qëllim dhe paraqet edhe një tjetër përpjekje të EC-it për promovim të turizmit kulturor dhe natyror të Kosovës, si një nga burimet potenciale kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Ideja për krijimin e kësaj platforme ka buruar edhe nga angazhimet dhe hulumtimet e deritashme të EC-it në fushën e turizmit të cilat kanë dëshmuar nevojën për promovim më të madh të pasurive kulturore dhe natyrore në vend. Për ilustrim, në një hulumtim në fushën e turizmit që EC ka realizuar në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren në pyetjen se çka ju ka pëlqyer më së shumti në Prizren, pjesa më e madhe e turistëve të jashtëm dhe atyre nga rajonet e Kosovës të anketuar (27.4%) janë përgjigjur “Munumentet Kulturore dhe Fetare” dhe 17% e tyre “vizitat në natyrë”. [1].

[1] Raportin e plotë mund ta gjeni në:
https://ecmandryshe.org/repository/docs/211221093658_Pyetsori_per_Turizemr.pdf

KOSOVARURALTOURISM është punuar me metodologji të paracaktuar. Për të siguruar ofrim të informatave të sakta dhe kredibile të dhënat janë mbledhur direkt nga terreni me ç’rast janë vizituar mbi 200 pika/lokacione. Për siguri edhe më të madhe, informatat e mbledhura janë verifikuar edhe nga institucionet përgjegjëse. Përpos saktësisë, aplikimi i kësaj metodologjie ka mundësuar edhe kontaktin e drejtpërdrejtë dhe ngritjen e kapaciteteve të ekipit të angazhuar.

Platforma ofron informatat, si: lokacioni, kategoria e lokacionit, statusi i mbrojtjes, shenjëzimi, infrastruktura, shfrytëzimi, orientimi deri në lokacion nëpërmjet Google Map (Get Directions), gjatësia dhe gjerësia gjeografike për secilën pikë të hartëzuar. Të dhënat e lokacioneve të regjistruara janë të ndara në tre kategori kryesore: pasuri kulturore, pasuri natyrore dhe shërbime. Aktualisht, platforma përmban të dhëna për lokacione të të gjitha komuniteteve të Rajonit Jugor të Kosovës(komuna e Prizrenit, Dragashit, Malishevës, Suharekës, Rahovecit dhe Mamushës) me planin që në të ardhmen të mbulojë të gjithë territorin e Kosovës.

Edhepse qëllimi kryesor i platformës është informimi i vizitorëve vendor dhe atyre të huaj, zhvillimi i saj duhet parë edhe si kontribut në edukim dhe mbrojtje të pasurive si dhe nxitjen e angazhimit dhe diskursit institucional dhe publikut në përgjithësi mbi mundësitë, potencialet dhe nevojën e zhvillimit dhe promovimit tutje të turizmit në Kosovë.

Platforma KosovaRuralTourism mund të përditësohet nga audienca, komuniteti apo edhe profesionistët duke na dërguar e-mail apo edhe fotografi tek info@ecmandryshe.org.

Përmbajtja e logos: Logoja e platformës KOSOVARURALTOURISM është unike për shumë arsye. Fillimisht paterna e saj paraqet motive autentike sepse është e inspiruar nga qilimat, veshjet dhe aksesorët tradicional të Kosovës. Përpos kësaj, inkorporon pasuritë natyrore të vendit, ajrin, tokën dhe ujin si dhe Hartën e Kosovës e simbolizuar në stil minimal dhe me shkronjën “K”. Gjithashtu, ngjyra e logos paraqet natyrën dhe me elementet më sipër mund të përfundohet se si e tillë logoja i përgjigjet plotësisht qëllimit dhe përmbajtjes së platformës.